Një burim i besueshëm brenda Byrosë Kombëtare të Hetimit ka bërë me dije për “Pamfleti” se në janar 2025, zyra rezidente e FBI-së në Tiranë, në bashkëpunim me oficerë të posaçëm të SPAK dhe BKH, i ka dorëzuar zyrtarisht kreut të Prokurorisë Speciale, Altin Dumani, një rekomandim të detajuar për nisjen e hetimeve paraprake ndaj kryeministrit Edi Rama.
Fokusi i këtij hetimi janë udhëtimet e Ramës me avionin qeveritar “Ismaili”, një çarter me status diplomatik, por i përdorur për qëllime personale nga kryeministri shqiptar. Rekomandimi është shoqëruar me informacione dhe indicie të mbledhura nga vetë FBI dhe agjenci të inteligjencës së vendeve partnere të BE-së dhe NATO-s, që kanë marrëveshje operacionale me SHBA-në për luftën kundër korrupsionit dhe krimit transnacional.
Megjithatë, përkundër natyrës urgjente dhe të dokumentuar të kërkesës, Altin Dumani nuk ka ndërmarrë asnjë hap. Asnjë procedurë verifikimi nuk është autorizuar, asnjë hetim paraprak nuk është ngritur, dhe deri më 20 prill 2025, zyra e SPAK nuk ka kthyer përgjigje ndaj zyrës së FBI-së në Shqipëri.
Kjo heshtje institucionale është cilësuar nga burimet amerikane si një sinjal i qartë i anshmërisë së Dumanit, i cili akuzohet se po mbron Ramën dhe rrjetin e tij politik e financiar, duke shkelur detyrimet ndërkombëtare që burojnë nga partneriteti transatlantik në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Pikërisht për këtë arsye, zyra e FBI në Tiranë ka vendosur të nisë një hetim paralel të pavarur, duke kërkuar informacion nga disa institucione kyçe të shtetit shqiptar. Konkretisht, kërkesat janë dërguar pranë:
- Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar, për kontratën dhe fondet që mbulojnë përdorimin e çarterit “Ismaili”
- Kompanisë “Air Albania”, si pronare e avionit, përgjegjëse për fluturimet dhe itinerarët
- Albcontrol, që licencon dhe monitoron hapësirën ajrore shqiptare dhe ka ortakëri me “Air Albania”
- Policisë së Shtetit, për informacion mbi pasagjerët, itinerarët dhe hyrje-daljet në Rinas
- Sistemit TIMS, për identifikimin e çdo personi që ka shoqëruar ose përdorur avionin me ose pa praninë e kryeministrit
Burimet konfirmojnë se kërkesat janë shumë të qarta dhe përfshijnë gjithashtu udhëtimet ku Rama nuk ka qenë fizikisht i pranishëm, por çarteri është përdorur nga persona të tjerë me autorizim të posaçëm – çka ngre dyshime të thella për abuzim me mjetet shtetërore për interesa private ose kriminale.
Hetimi është përqendruar veçanërisht në fluturimet drejt destinacioneve si Stambolli, Ankara, Dubai, Abu Dhabi, Minsk, Baku dhe qendra të tjera të mirënjohura për transaksione të errëta financiare. Natyra e këtyre udhëtimeve, personat që kanë shoqëruar kryeministrin, si dhe mungesa e transparencës për qëllimet e këtyre vizitave, janë elementët që kanë alarmuar zyrën amerikane të hetimeve.
FBI nuk njihet për hetime të kota. Aktivizimi i saj në këtë rast lidhet vetëm me ekzistencën e dyshimeve serioze për vepra penale të rënda, përfshirë pastrim parash, trafik ndërkombëtar, shkelje të sanksioneve ose marrëveshjeve strategjike ndërkombëtare.
Kjo ndërhyrje vjen në një kohë kur Rama përballet me akuza gjithnjë e më të rënda për lidhje me krimin e organizuar, për shpërndarje të favoreve publike ndaj oligarkëve, për ndarje lejesh dhe tenderash të dyshimtë, si dhe për promovimin e një modeli ekonomik klientelist që e ka zhytur Shqipërinë në varfëri ekstreme dhe borxh të pakthyeshëm.
Mosveprimi i Altin Dumanit në këtë rast nuk është më thjesht një gabim teknik apo zvarritje proceduriale. Ai po lexohet si mbrojtje politike për një kryeministër që ndodhet nën vëzhgim të drejtpërdrejtë nga aleatët strategjikë të Shqipërisë dhe i cili mund të jetë shndërruar në një figurë të rrezikshme jo vetëm për demokracinë e brendshme, por edhe për aleancat ndërkombëtare të vendit.