Zgjedhjet e 11 majit nxorën në pah jo vetëm faktin se kupola e Partisë Socialiste vazhdon të mbështetet në bandat kriminale për të kontrolluar procesin elektoral, por edhe një dinamikë të brendshme lufte për votën, ku kandidatët e listës së hapur brenda PS-së rivalizonin me njëri-tjetrin për të rrëmbyer të njëjtat banda dhe grupe kriminale.
Një nga rastet më të qarta është ai i ministrit Blendi Gonxhe, i cili, me fuqinë absolute që i ka dhënë Edi Rama, rekrutoi dhe përdori gjatë fushatës elektorale bandat dhe “të fortët” që dikur punonin për deputetin aktual Toni Gogu.
Zona elektorale e Toni Gogut përfshinte Kombinatin, Ndroqin, Vaqarrin, Pezën dhe Vorën, një territor i gjerë ku Gogu kishte ndërtuar ndër vite një rrjet të paligjshëm ndikimi përmes lidhjeve me zyrtarë lokalë dhe grupe kriminale që i garantonin vota dhe kontroll në terren. Por këtë herë, të gjithë këta faktorë e braktisën, duke kaluar në shërbim të Blendi Gonxhes.
Në Ndroq, banda elektorale u drejtua nga kryetari i njësisë Xhavit Çeka, i cili përveç fisit e punonjësve të vet, aktivizoi edhe eksponentë të krimit dhe biznesmenë që kishin përfituar toka e banesa me letra false dhe fonde të rindërtimit, të gjithë në shërbim të votës për Gonxhen.
Në Vaqarr, Toni Gogu u braktis nga kryetari i njësisë Gentian Myrta dhe vëllai i tij Klodian Myrta, drejtor në OSHEE, të cilët vunë në dispozicion të Gonxhes gjithë rrjetin e ndikimit, punonjës, të afërm dhe grupe që kishin marrë prona e favore përmes skemave të manipulimit të dokumenteve.
Në Pezë, ish-kryetari Besmir Kola dhe vëllezërit Ervin e Festim Kola hoqën dorë nga Gogu dhe u rreshtuan me Gonxhen, duke përdorur të njëjtat metoda që ndihmuan në ndërtimin e perandorisë kriminale të Gogut vite më parë.
Në Vorë, aktivizoi xhabaftët, një grup criminal që më parë ishte në shërbim të Gogut, veçanërisht në Kombinat, ku zotërojnë pasuri dhe ndikim.
Blendi Gonxhe, në këtë mënyrë, nuk luftoi opozitën, por zhbëri sistemin e kontrollit të ngritur nga prifti Gogu brenda Partisë Socialiste. Mbase nuk kishte qëllim të përjashtonte Gogun nga politika, por duke marrë kontrollin e bandave, ai i mori edhe votat dhe e nxori jashtë parlamentit, duke i lënë vetëm “bekimin” e Bablokut.
Bandat, nuk dolën nga loja, thjesht ndryshuan padron./Pamfleti