zgjedhjet e 11 majit, rezultati në disa qarqe nuk ka qenë as i rastësishëm dhe as thjesht produkt i votës popullore. Fakti që ish-eksponentë të opozitës u “rikualifikuan” befas si mbështetës të mazhorancës është tregues i një strategjie të orkestruar për të blerë heshtjen dhe shërbimet e tyre. Rastet si Agim Xhindoli në Lushnje, Agron Çela në Shkodër, apo Genc Deromemaj në Vlorë që u emërua drejtor i ASHK-së janë vetëm maja e ajsbergut. Por në Vlorë ka edhe një tjetër emër që ngjall më shumë pikëpyetje: Shkëlqim Selami.
Nga organizatë kriminale në Itali, te qyteza luksoze në Orikum
Shkëlqim Selami u bë i njohur në vitin 2013 si deputet i LSI-së, por karriera e tij politike u ndërpre në 2016-ën nga ligji i dekriminalizimit. Arsyeja? Mosdeklarimi i një mase sigurie në Itali, si pjesë e një organizate kriminale. Për shumëkënd, ky do ishte fundi i një figure publike. Por jo në Shqipërinë e Rilindjes.
Pas disa vitesh heshtjeje dhe “pendese”, Selami ringjallet si biznesmen ndërtimi, duke themeluar në vitin 2020 kompaninë “Selami Konstruksion”. Dhe në vitin 2024, merr leje direkte nga Këshilli Kombëtar i Territorit për ndërtimin e një qyteze të re në Orikum – një projekt me dhjetëra pallate shumëkatëshe, biznese dhe hoteleri luksoze.Leja e KKTU-së e vitit 2024 për ndërtimin e një kompleksi pallatesh në Orikum, dhënë firmës Selami
Kush e dha lejen? Kush i pastroi të kaluarën?
Dokumentet e siguruara nga Publik.al tregojnë se leja është dhënë personalisht me miratim nga Kryeministri Edi Rama përmes KKTU-së. Projekti përfshin ndërtime 6 dhe 7 kate me një kat nëntokë, përgjatë rrugës Aulona në Orikum. Sipërfaqja është tejet e madhe dhe përfshin një zonë strategjike të bregdetit të Vlorës – zonë për të cilën ka pasur konflikte të shumta pronësie, por që, sipas burimeve, “u sheshuan sapo hyri në lojë Selami”.
Me një përshkrim të kujdesshëm urbanistik, dokumentet flasin për apartamente luksoze, ambiente shërbimi, SPA, salla konferencash, dhe një hotel biznesi “të integruar në rezidencë”. Projekti shitet si “koncept bashkëkohor”, por në thelb është një koncesion për të shpërblyer një ish-të dënuar me ndikim në Vlorë që sot është kthyer në një hallkë të pandarë të klientelës së pushtetit.
Në vitin 2024, Këshilli Kombëtar i territorit dhe Ujit ka miratuar lejen e zhvillimit për ndërtimin e një kompleksi banimi, hotel dhe shërbimesh me 6 dhe 7 kate dhe 1 kat ndërtimi nëntoë, në rrugën Aulona, Orikum. Subjekti zhvillues është firma “Selami Konstruksion” sh.p.k, e themeluar në vitin 2020 dhe me pronar të vetëm z. Shkëlqim Selami.
Selami ka negociuar me pronarët dhe më pas është marrë edhe leja përkatëse me gjithë lidhjet e ish-deputetit deri lart në kupolën qeverisëse. “Në vijim të zhvillimit të gjithë kësaj zone, paraqitet nevoja e integrimit në të e infrastrukturës së hotelerisë së një niveli bashkëkohor duke konsideruar kërkesat në rritje në raport me këtë destinacion funksional për bregdetin” thuhet në dokumente.
Në leje shkruhet se ndërtimi është i konceptuar për nga tipologjia si një business hotel i vendosur në një ndërtesë shumëkatëshe. “Ai synon të të plotësojë kërkesat jo vetëm të hotelerisë por edhe rezidencave pranë me shërbime komplementare si bare, restorante, SPA, salla konference etj. Me një vendndodhje pranë bregdetit apartamentet luksoze janë në prani të hapësirave të gjelbërta të cilat ofrojnë një atmosferë qetësie” shkruhet në këto dokumente. Projekti i miratuar për Selamin sa një qyteze
Nga opozitar me Metën në klient të qeverisë modeli shqiptar i integrimit
Advertisement
Ngjitja e Shkëlqim Selamit në radhët e përfituesve të mëdhenj të lejeve të ndërtimit është një tjetër dëshmi e modelit të integrimit që ka ndërtuar regjimi Rama: nuk ka rëndësi nëse ke qenë në opozitë, i dënuar, apo pjesë e organizatave kriminale rëndësi ka t’i përulesh pushtetit dhe të bëhesh pjesë e skemës së betonit dhe përfitimit.
I njëjti model është përdorur në Shkodër, në Lushnje, në Durrës, dhe tashmë edhe në Vlorë. Bie opozita, ngrihet një pallat. Humbet një parim, fitohet një tender. U shemb morali politik, por ngrihen qyteza të tëra luksi për të pasurit e rinj të Rilindjes.
Publik.al do të ndjekë më tej këtë dosje, për të zbardhur zinxhirin e pronësisë, marrëveshjet nën dorë dhe mënyrën si një ish-i dënuar për krim të organizuar në Itali përfundoi me leje ndërtimi në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar.
Ky nuk është thjesht rasti i Shkëlqim Selamit. Ky është manuali i Rilindjes.