Pasi u kallëzua për ndërtim pa leje dhe falsifikim, ndërtuesi i proceduar penal po rikthehet me një skemë të rafinuar: të marrë pronën përmes votës së këshilltarëve. Kush voton “Po”, rrezikon burg deri në 8 vite për shpërdorim, falsifikim dhe korrupsion…
Skema e Mojsi Lazajt për të përfituar një pronë publike të zaptuar në Vlorë ka hyrë në fazën më të rrezikshme: legalizimi përmes votës së këshilltarëve bashkiakë.
Pas denoncimit mediatik ndërtuesi famëkeq Mojsi Lazaj është detyruar të ndryshojë taktikë.
Pasi u dokumentua zaptimi i pronës shtetërore dhe nisi procedimi penal për ndërtim pa leje me qëllim përfitimi, Lazaj tentoi ta mbulonte gjurmën me dhe, e më pas vendosi një rrethim provizor, por betoni mbeti atje, fakt që dëshmon qartë krimin e konsumuar në terren.
Tani, duke mos arritur ta marrë me forcë apo me ndërtim të kryer, Lazaj po lëviz përmes një skeme të rafinuar të pastrimit ligjor të pronës së uzurpuar, ku vendimmarrja i është lënë Këshillit Bashkiak të Vlorës.
Plani: “Faturimi i burgut” tek këshilltarët bashkiakë
Pasi dy herë më parë Këshilli Bashkiak refuzoi të miratonte faljen e pronës, sepse këshilltarët kuptuan që bëhej fjalë për një zaptim të pastër dhe proces në gjykatë, tani Lazaj dhe njerëzit e tij po tentojnë për herë të tretë, me shpresën se “rraskapitja politike” do t’i kthejë disa vota në këshill.
Strategjia e re është kjo: fillimisht pronës do t’i ndryshohet statusi, duke i kaluar për administrim Bashkisë, e më pas, përmes një vendimi tjetër, do t’i kalojë firmës “Lazaj 2002”, siç ka qenë planifikuar që në fillim. Pra, një procedurë me dy hapa, ku Bashkia luan rolin e noterit të pastrimit të krimit të ndërtimit.
Por problemi është se tani Bashkia dhe Këshilli Bashkiak janë zyrtarisht në dijeni se prona është në proces gjyqësor dhe objekt kallëzimi penal.
Kjo është e dokumentuar në shkresat nr. 10062 dhe 10063, protokolluar në Bashkinë e Vlorës, ku thuhet qartazi se kjo pronë është objekt hetimi dhe tentativë tjetërsimi në favor të Mojsi Lazajt.
Advertisement
Skandali: Beton pa leje, dosje me dokumente të falsifikuara
IKMT ka konfirmuar zaptimin dhe betonimin pa leje të sipërfaqes, ndërsa është bërë kallëzim penal në prokurori. Dyshohet gjithashtu se leja e ndërtimit që ka dorëzuar Lazaj është bazuar mbi dokumentacion të një tjetër sipërfaqeje shtetërore, duke ngritur dyshime për falsifikim të qëllimshëm me qëllim përfitimi.
Ndërkohë, prokuroria ka nisur hetim për ndërtim të paligjshëm, por përpjekjet për të çuar përpara vendimmarrjen në Këshillin Bashkiak vazhdojnë në heshtje, si një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj pronës publike dhe një shkelje flagrante e ligjit.
Rreziku penal për këshilltarët që votojnë “Po”
Sipas dokumenteve zyrtare dhe gjendjes faktike të njohur tashmë, këshilltarët bashkiakë që vendosin të votojnë pro kalimit të pronës te firma e Lazajt, përballen me rrezik real penal. Më poshtë janë akuzat potenciale që mund të rëndojnë mbi ta:
1. Shpërdorim detyre (Neni 248) Votimi për një pronë që është në proces gjyqësor dhe për interes privat, përbën shpërdorim të funksionit publik. Dënimi: deri në 7 vite burg.
2. Falsifikim i dokumenteve zyrtare ose përdorim i tyre (Nenet 186 dhe 189) Nëse bazohen në dokumente me sipërfaqe të manipuluara, bëhen bashkëpërgjegjës për veprën penale. Dënimi: deri në 5 vite burg.
3. Korrupsion pasiv i funksionarëve publikë (Neni 259) Nëse provohet përfitim apo ndikim financiar mbi ndonjë këshilltar për të votuar pro, kjo përbën korrupsion. Dënimi: 2 deri në 8 vite burg + ndalim i funksioneve publike.
4. Ndihmë në ndërtim të paligjshëm / legalizim prone të zaptuar (Nenet 199/a dhe 287) Lehtësimi i përfitimit të një prone të uzurpuar përbën ndihmë në ndërtim të paligjshëm dhe pastrim të pasurisë së vjedhur. Dënimi: deri në 5 vite burg.
5. Pengim i drejtësisë (Neni 301) Kalimi i një prone që është objekt procesi gjyqësor përbën ndërhyrje në procesin e drejtësisë. Dënimi: 6 muaj deri në 5 vite burg.
Advertisement
Këshilltarët bashkiakë janë përballë një prove publike dhe ligjore. Çdo votë për kalimin e kësaj prone për interesa të një ndërtuesi të proceduar penalisht nuk është vetëm votë politike, por një akt që mund të kthehet në përgjegjësi personale penale. Nëse ndërtimi vazhdon dhe legalizohet mbi këtë vendim, asnjë zyrtar nuk do të mund të thotë më “nuk e dija”. Sepse tani të gjithë e dinë. /Pamfleti