Skandal te Tirana International Hotel! Drejtori Ram Geci akuzohet për shantazh dhe abuzim ndaj punonjësve.
Një valë akuzash të rënda ka përfshirë Tirana International Hotel & Conference Centre, ku drejtori i përgjithshëm, z. Ram Geci, dyshohet se po ushtron presion, kërcënime dhe shantazh të vazhdueshëm ndaj punonjësve të institucionit, përfshirë edhe ata që kanë përfunduar marrëdhënien kontraktuale apo kanë dhënë dorëheqje në përputhje me afatet ligjore.
Burime të besueshme për redaksinë tonë raportojnë se kontratat e punës janë hartuar në kundërshtim të hapur me ligjin shqiptar të punës, ndërkohë që presioni psikologjik i ushtruar ndaj stafit ka çuar në largimin e katër punonjësve të administratës. Të tjerët vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet e tyre vetëm nën frikën e ndëshkimeve profesionale apo personale.
Sipas të njëjtave burime, mungesa e transparencës, mospagesa e pagave për dy muajt e fundit dhe klima toksike në vendin e punës po minojnë seriozisht funksionimin normal të institucionit dhe po largojnë personelin e kualifikuar, të cilët kanë kontribuar ndër vite me profesionalizëm dhe përkushtim.
Akuzat më shqetësuese lidhen me përdorimin e shpifjeve publike në rrjetet sociale dhe dërgimin e mesazheve denigruese dhe fyese ndaj punonjësve nga vetë drejtori, një akt që përshkruhet si hakmarrje personale, dhe që bie ndesh me çdo standard etik apo menaxherial.
“Menaxhimi përmes frikës nuk i përket vitit 2025. Ky institucion ndodhet në zemër të Tiranës, jo në një zonë të izoluar,” – thuhet në një reagim nga një prej ish-punonjësve, që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet shtetërore dhe inspektorati i punës.
Punonjësit dhe ish-punonjësit e hotelit theksojnë se integriteti njerëzor dhe profesional i stafit nuk mund të njolloset nga akuza të pabazuara dhe se është koha që drejtësia të marrë rolin që i takon në ndalimin e abuzimeve të tilla.
Ne vijim do të publikohen edhe bisedat dhe përgjimet e Ram Gecit me punonjësit e tij!
/Ngrihu