Connect with us

Politike

Kush e përdori rinumërimin e votave si skenar brenda opozitës?

Published

on

Për gati 10 ditë, KQZ u angazhua me komisionerë për të rinumëruar votat e Qarkut të Tiranës, një proces ky që u inicua pas kërkesës së dy prej anëtarëve të KAS-it, përfaqësues të PD-së, që kërkuan hapjen e kutive.

Vendimi i dy anëtarëve të KAS erdhi në një moment kur nga disa prej kandidatëve të listës së hapur të koalicionit ‘PD-ASHM’ ngritën pretendime për deformime votash preferenciale, pra votat në emrin e tyre personal.

I pari që ngriti pretendimet ishte Ilir Alimehmeti, doktori që nga numërimi i parë rezultoi i dyti më i votuari në listën e koalicionit të udhëhequr nga PD-së. Pas tij ishte Ilir Meta që gjithashtu pretendoi se i ishin vjedhur votat personale. Madje, Meta shkoi edhe pak më tej duke paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme do të dilte i vetëm në zgjedhje, deklarata që direkt kishin të bënin me dyshimet se komisionerët e PD-së i kishin vjedhur votat.

Sali Berisha, nisur edhe nga eksperienca e tij e gjatë, ndoshta ishte i vetmi ndër rradhët e opozitarëve që e dinte se çfarë kishin kutitë e 11 majit, ndaj mbajti një qëndrim të prerë për mosnjohjen e zgjedhjeve, por njëherazi la të hapur mundësinë e një rinumërimi për hir të transparencës së procesit.

Berisha ka qenë i bindur se votat që ishin në kuti nuk do të arrinin të përmbysnin ndonjë rezultat, as do të shtonin ndonjë mandat për PD dhe aleatët e saj në Kuvend, por i la të gjithë të ëndërronin dhe në fund i nxorri bllof.

Nëse i marrin një nga një rastet do të shohim se ata që morën flamurin e betejës për rinumërim treguan se as nuk e kishin idenë se çfarë kishin kutitë brenda, ose kishin rënë preh e një mashtrimi, që ndodh rëndom në situata zgjedhore.

Ilir Alimehmeti ngriti pretendimet se votat e tij ishin tjetërsuar. Madje, nxitoi të merrte pamjet filmike dhe pasi i kishte vëzhguar vetë, ose të tjerë, shtoi edhe më tepër dozën e pretendimeve, duke krijuar bindjen se doktorit që shihet si një prej figurave të reja politike i ishte bërë një padrejtësi e madhe.

Në anën tjetër, Belind Këlliçi, drejtues politik i PD për Tiranën, nxitoi të deklaronte se nga rinumërimi i votave kjo parti do të merrte mandatin e 14 në qarkun më të madh të vendit. Madje e tha me aq bindje, sa i rriti dozat e reagimeve Alimehmetit dhe shpresën se doktori do të bëhej deputeti i ri në Kuvendit të Shqipërisë. Këlliçi pohonte me bindje se ‘Mundësia’ e Agron Shehaj i kishte marrë mandatin PD-së, duke ngritur një tymnajë mbi rolin e komisionerëve numërues, që nëse i referohesh qëndrimeve kishin “tradhëtuar” partinë e Berishës për atë të Shehajt.  

Po kështu Ilir Meta nga qelia e 313 ku ndodhet me vendim të GJKKO-së dhe mbështetës të tij të PL-së pretenduan se votat preferenciale i ishin vjedhur, madje caktuan edhe zonën, duke përmendur Bashkinë e Kavajës, pjesë e qarkut të Tiranës. Meta nisi të deklaronte se votat në kuti ishin më pak se letrat apo mesazhet e mbështetjes që kishte marrë gjatë fushatës.

Advertisement
Reklamo në Gjurmusi.com

E gjithë kjo skenë zgjati 10 ditë, ku Alimehmeti priste të merrte mandatin, Meta të zhvendosej më lart në renditjen e listës së hapur, Këlliçi të priste mandatin e 14 si drejtues politik, e kështu me rradhë.

Por në fakt rinumërimi nuk solli asnjë ndryshim të tillë.

PD-së në Tiranë i mbeten 13 mandate deputetësh dhe shpresat për të 14-in u shuan. Ndoshta kaq mjaftonte për të treguar se drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës ose ka pasur informacionet e gabuara mbi atë se çfarë kishin kutitë brenda, ose e futën qëllimisht në skenë, duke e përdorur në lojën mes grupimeve në PD, fijet e të cilave, tërhiqen nga zyra e Berishës.

Alimehmeti, megjithëse iu zbritën disa dhjetra vota, ashtu sikundër edhe Tabakut, që u vlerësuan të pamerituara, vijon të mbajë vendin e dytë në listën e hapur dhe të shpresojë se do të hyjë në Kuvend nëse do të ketë zhvillime nga lista e mbyllur. Dhe pas rinumërimit, kemi një doktor të ri që përdor gjuhën dhe tezat e doktorit të ‘vjetër’, duke harruar edhe ato deklaratat se do të ngrinte zërin për analiza të brendshme në PD dhe përgjegjësi për humbjen e thellë.

Ndërsa, Ilir Meta kuptoi se votat i ishin numëruar saktë dhe ndoshta tani e ka më të thjeshtë për të kuptuar se kush mund ta ketë gënjyer nga të tijët që ia kishin ‘masakruar’ votat preferenciale, apo se kush është ‘tradhëtari’ i rradhës. /Pamfleti/

Advertisement Reklamo në Gjurmusi.com

Kryeredaktor: Nesti Agoni Ne nuk kemi emra. Sepse emrat korruptohen. Gjurmuesi është një media e pavarur qe nuk do te beje kurre kompromis,me askend dhe do te ndjekim gjurmet e parave te korrupsionit. Jemi shqetësimi i çdo pushtetari që ka vjedhur, mashtruar apo shtypur të tjerët nga një karrige publike. Gjurmuesi flet kur mediat e blera mbyllin sytë. [email protected]