Luan Basha, Armand Agolli dhe Kleanthi Prifti qëndrojnë pas një skeme të dyshuar korruptive dhe mashtrimi me procedurat tenderuese, duke përfituar mbi 15 milionë euro para publike, kryesisht me procedura sekrete, pazar në tavolinë dhe gara të manipuluara. Luan Basha dhe Armand Agolli janë bashkëpronarë të kompanisë Atom, me objekt import dhe eksport, tregti me pakicë dhe shumicë, konsulencë teknike, instalim dhe mirëmbajtje të sistemeve kompjuterike.
Basha dhe Agolli kanë përfituar 11.6 milionë euro para publike, përmes tenderave të dyshimë dhe sekretë. Përmes kompanisë Atom, dyshja ka marrë miliona euro tendera sekretë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, në disa raste pa kryer asnjë punë.
Gjatë 5 viteve të fundit, rezultojnë rreth 600 transaksione mes enteve publike dhe kompanisë Atom, një pjesë e të cilave produkt i tenderave sekretë, me pazar në tavolinë dhe dokumente false, duke shkelur barazinë në tendera.
Kleanthi Prifti është administrator i kompanisë Axians Albania, e cila herë pas here ndryshon emrin dhe fshihet sa në Francë dhe në Gjermani. Prifti, për arsye të dyshimta, nuk zbaton ligjin për pronarët përfitues, duke mosdeklaruar në QKB pronarin fundor të kompanisë. Në shkelje të ligjit dhe me dokumente false, Kleanthi Prifti ka marrë 3.5 milionë euro tendera publikë, përfshirë edhe procedura sekrete tenderuese nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Luan Basha dhe Armand Agolli bashkëpunojnë me Kleanthi Priftin në manipulimin e procedurave tenderuese të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në kordinim me drejtues të OSHEE. Tre personazhet në fjalë bëjnë marrëveshje paraprake me drejtuesit e OSHEE se kush do t’a fitojë tenderin e radhës dhe cili do të bëjë fasadën, duke marrë pjesë në ‘garë’ në funksion të fituesit.
Si funksionon skema e korrupsionit?
Luan Basha, Armand Agolli dhe Kleanthi Prifti arrijnë një pazar paraprak se cila kompani do të futet për të marrë tenderin dhe cila do të bëjë fasadën, ndërsa paratë i ndajnë bashkë, plus 20-30 % të vlerës për zyrtarët e korruptuar publikë.
Për shembull, OSHEE ka paracaktuar kompaninë e Priftit si fituese të tenderit 1.3 milionë euro për gjoja rritjen e sigurisë dhe kapaciteteve të infrastrukturës së network, analiza e eventeve të sigurisë si dhe mbrojtja nga sulmet. Praktikisht, Klenathi Prifti nuk bën asgjë, pasi objekti i tenderit është subjektiv dhe analizat janë fiktive, dokumente copy-pase.
Kleanthi Priti fiton tenderin me pazar në tavolinë gati sa fondi limit. Në garë merr pjesë formalisht kompania e Luan Bashës dhe Armand Agollit, duke mos paraqitur disa nga dokumentet e kërkuara, me qëllim për t’i krijuar lehtësi autoritetit kontraktor për t’a skualifikuar. Më pas paratë i ndajnë sipas roleve.
Në raste të tjera, Luan Basha, Armand Agolli dhe Kleanthi Prifti bashkojnë kompanitë dhe marrin pjesë në procedurën tenderuese të manipuluar, siç është rasti i këtij tenderi fiktiv 1.8 milionë euro nga OSHEE.
Në këtë rast i kanë rënë shkurt, duke ndarë me njëri-tjetrin qindra mijëra euro para publike. Tre ‘profesorët’ kanë krijuar një skemë të frikshme dhe të konsoliduar korrupsioni me OSHEE, por edhe me ente tjera publike. SPAK mjafton të hetojë vetëm një nga tenderat e mëdhenj të OSHEE, për të zbuluar një vjedhje sa banale aq edhe flagrante. Por, ‘tre profesorët’ i kanë bërë ‘gol’ edhe vetë kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.