Drejtësia e mykur e kryeqendres së Veriut: Si e shpëtoi nga burgu dekanin ryshfetxhi SPAK-u dhe gjyqtarja ish-studente e tij…
Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Gaspër Kokaj, është kthyer në simbolin e gjallë të korrupsionit akademik, duke u kapur në flagrancë për marrje ryshfeti për nota kaluese, por duke shpëtuar pa asnjë ditë burg, falë lidhjeve politike, çeqeve dhe mbështetjes nga kupola e drejtësisë. Në qershor 2023, Gaspër Kokaj u procedua nga SPAK për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, pasi u dokumentua me prova se kishte marrë nga 500 euro për çdo notë kaluese, e madje i korrigjonte nga “ngelëse” në “shkëlqyeshëm”. Por më 23 shtator 2023, prokurori i SPAK, Ened Nakuçi, deklaroi moskompetencë, duke e kaluar çështjen në Prokurorinë e Shkodrës, dhe Altin Dumani e firmosi. Me këtë manovër, SPAK shkel Kodin e Procedurës Penale, pasi vlera e ryshfetit kapërcente kufirin ligjor që e bënte kompetencë të SPAK-ut, sidomos për faktin që ishte kryer në bashkëpunim dhe nga një funksionar publik i lartë. E megjithatë, SPAK e la dosjen të kalojë në duart e drejtësisë lokale, që dihet se çfarë fshihen pas saj. Sipas raportit paraprak të BKH-së, nga përgjimet dhe denoncimet e shumta, rezultonte se dekani Kokaj kishte marrë ryshfet në të paktën 33 raste, duke shitur nota dhe tema diplomash në bashkëpunim me pedagogë dhe sekserizuar nga djali i tij, Kristjan Kokaj. Në të paktën 20 raste, pagesat shkonin nga 2000 deri në 3000 euro për një notë ose diplomë të garantuar, ndërsa dhjetëra studentë janë diplomuar me nota të larta në këmbim të parave. Më 18 shtator 2024, prokurorja e Shkodrës, Besmira Vishe, e çoi çështjen për gjykim me akuzën e korrupsionit pasiv në bashkëpunim, por më 25 shkurt 2025, gjyqtarja Egla Mirashi vendosi pushimin e çështjes, duke injoruar çdo provë, dëshmi, përgjim dhe raport të ligjshëm. Skandali bëhet edhe më grotesk, kur zbulohet se Egla Mirashi ka qenë vetë studente e Gaspër Kokaj gjatë viteve 2006-2010 dhe ka marrë nota të larta pikërisht prej tij në një sistem që tashmë është i faktuar si i kalbur.
Për më tepër, më 24 janar 2024, në kulmin e hetimeve, ndërsa Gaspër Kokaj ishte zyrtarisht i pandehur, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, organizoi një takim me studentët e Fakultetit Juridik në Shkodër, ku bashkë me vetë dekanin e akuzuar për korrupsion, mbajti një leksion për “integritetin dhe guximin e juristëve”. Ironia është poshtëruese për çdo student të ndershëm. E gjitha kjo ndodh ndërsa djali i dekanit Kokaj del në përgjimet e SKY ECC si i lidhur me bandën “Gjoka-Bajri”, ndërsa vetë Kokaj, në vend që të përballet me drejtësinë, vazhdon të japë nota e të përzgjedhë juristët e ardhshëm që do bëhen prokurorë e gjyqtarë. Ky rast i zbërthen në mënyrë perfekte katër shtyllat mbi të cilat mbahet korrupsioni shqiptar: universiteti që shërben si çerdhe ryshfetesh, drejtësia që mbyll sytë përballë provave, politika që e mbështet me heshtje, dhe opinioni publik që lodhet të protestojë për çdo padrejtësi. Emri i Gaspër Kokaj është kthyer në sintezën e një sistemi të kalbur që e shpërblen krimin brenda auditorëve dhe i ofron dekoratë lirie në vend të prangave. Dhe kjo është vetëm maja e një mali akullnajor korrupsioni akademik e gjyqësor, për të cilin në Shqipëri, ende askush nuk mban përgjegjësi./Pamfleti