Investigim

Loni i Bankersit me vilë 5 MLN € në Rolling Hills, Frida Krifca i dha 500 mijë euro nga fondet e BE-së për bujqësinë

Published

on

Leonidha Çobo është personazhi kryesor në dosjen e Prokurorisë për ‘gropën’ 5.5 miliardë euro të Bankers Petroleum, gjatë zhvatjes 20-vjeçare të pasurisë nëntokësore të shqiptarëve. Çobo, ish administrator i Bankers në periudhën 2010-2015, dyshohet se është ideatori i skemës së mashtrimit me të ardhurat, fryrjen e shpenzimeve me fatura fiktive për të mos paguar taksa, devijimin e fitimit dhe pastrimin e parave, duke i dhënë kompanisë një fytyrë mafioze. Skema është zbatuar më pas nga pasardhësit e Çobës në krye të Bankersit. 

Loni i Bankersit, vetëm përmes faturimeve fiktive ka përfituar mbi 100 milionë euro, me sistem bankar. Paratë kalonin nga Bankersi tek një kartel kompanish të Çobos nga Tirana në Itali. Vite më parë, vetë kompania Bankers denoncoi përmes një letre publike skemën e vjedhjes së Çobos kur ishte administrator i kompanisë. Denoncimi erdhi pas prishjesh në pazare të çetës së hajdutëve, por shumë shpejt mosmarrëveshja u shua pasi zhurma ishte në dëm të të gjithëve.

Paratë e vjedhura, Loni i Bankers i ka pastruar duke i investuar në vila, pallate, prona, ferma, biznese në fushën e karburanteve, teknologjisë, prodhimeve bujqësore etj. Vetëm në Rolling Hills, zonë e cila përmendet shpesh në dosjet e SPAK-ut, Leonidha Çobo posedon një nga vilat më luksoze dhe të shënjuara për madhësinë e saj. Vlera e vilës, produkt i pastrimit të parave, është mbi 5 milionë euro dhe ka një pozicion strategjik në zonën e të korruptuarve.

Për të pastruar paratë e vjedhura me Bankersin, Leonidha Çobo është ndihmuar nga ish drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, e cila dhjetëra milionë euro fonde të BE-së për Bujqësinë i devijoi në duart e figurave të krimit, oligarkëve, figurave të korrupsionit dhe në xhepat e disa shoqeve të saj. Krifca i ka dhënë Çobos rreth 500 mijë euro nga fondet e BE-së për bujqësinë. 

Zonja Krifca ka kopsitur letrat duke i dhënë Lonit të Bankersit 198 mijë euro për ndërtimin e një sere në Fier, përmes komapnisë Agventure shpk, me pronar Leonidha Çobo. Natyrisht që Loni i Bankresit nuk kishte nevojë për 200 mijë euro të Krifcës nga fondet e BE për fermerët, por grandi e ka ndihmuar Lonin të kamuflojë pastrimin e parave.

Nuk mbaron këtu. Frida Krifca, njeriu që detyroi BE-në të ndërpriste fondet për bujqësinë, i ka dhënë Lonit të Bankers edhe 284 mijë euro për një tjetër serë në Lushnje. 

Loni i Bankersit i ka përfituar paratë përmes familjares së tij, Antigoni Çobo. Kjo e fundit është një nga ‘guackat’ e pastrimit të parave nga Leonidha Çobo. Nëse SPAK ose prokurori i çështjes Elion Mustafaj kanë vullnet real për të hetuar dhe zbatuar ligjin, do të zbulojnë se si Loni i Bankersit ka vjedhur dhe pastruar dhjetëra milionë euro përmes Antigoni Çobo.

Në emrin e zonjë Çobo, Loni i Bankers ka kamufluar edhe kompaninë Tea-Co shpk, përmes të cilës ka përfituar dhjetëra milionë euro nga Bankers me faturime fiktive dhe punë imagjinare. Paratë më pas janë pastruar duke i investuar në pasuri të paluajtshme.

Përmes kompanisë Albanian Fuel Station shpk, themeluar dhe mbyllur më pas nga Loni i Bankersit, janë pastruar dhjetëra milionë euro. 

Është një kartel prej 20 kompanish, shumica në emra të tjerë të besuar, me të cilat Loni i Bankersit ka pastruar qindra milionë euro. Mbi 100 milionë euro të pastruara janë vjedhur përmes Bankers, me kontrata dhe fatura zyrtare, por fiktive. 

Advertisement

Pse dosjen duhet t’a marrë Altin Dumani?

Elion Mustafaj është prokurori i dosjes së vjedhjes 20-vjeçare nga Bankres, fillimisht nën drejtimin e kanadezëve dhe më pas kinezëve. Integriteti i prokurorit Mustafaj nuk vihet në dyshim. Edhe me hetimin e deritanishëm, ndonëse jo shtetues, emri i prokurorit Mustafaj ka hyrë në histori, pasi ka trazuar dhe ka hequr perden mbi vjedhjen më të madhe në historinë e shtetit shqiptar.

Por ka disa arsye dhe rrethana se pse dosjen duhet t’a marrë SPAK, jo për të vënë në dyshim vullnetin dhe forcën e prokurorit Elion Mustafaj. 

Së pari, kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, të organizuar, me një hieraki dhe me role të posaçme veprimi. Dhe grupi strukturuar kriminal është në kompetencë të SPAK-ut. 

Së dyti, kemi implikim në nivele të larta, ministrash, të cilët janë në kompetencë të SPAK-ut. Për shembull, është implikuar Anila Denaj kur ishte ministre Financash, e cila vendosi të pezullonte ekzekutimin e gjobës 100 milionë euro ndaj Bankers, gjobë e konfirmuar nga gjykatat e të gjitha niveleve, pasi kompania kishte deklaruar shpenzime fiktive për të evituar taksat.

Së treti, nëse do të ndiqet rruga e parave, të cilat kanë kaluar nga Bankers në llogaritë e një trusti kompanish, fijet e parave do të nxjerrin zbuluar ‘ustallarët’ në Tiranë si përfitues fundorë. Nuk kemi të bëjmë vetëm me skemë mashtrimi dhe pastrim parash, por me një histori të frikshme dhe të konsoliduar korrupsioni. 

Së katërti, edhe nëse prokurori Mustafaj do t’u bëjë ballë të gjitha ndërhyrjeve, grupi kriminal i korrupsionit, duke pasur një fuqi vullkanike financiare, njohjesh dhe ndikimi, do të korruptojë në vijim gjyqtarët e Fierit pasi vëmendja ndaj skandalit të bie.

Advertisement

Te Fundit

Kryeredaktor: Nesti Agoni Ne nuk kemi emra. Sepse emrat korruptohen. Gjurmuesi është një media e pavarur qe nuk do te beje kurre kompromis,me askend dhe do te ndjekim gjurmet e parave te korrupsionit. Jemi shqetësimi i çdo pushtetari që ka vjedhur, mashtruar apo shtypur të tjerët nga një karrige publike. Gjurmuesi flet kur mediat e blera mbyllin sytë. info@gjurmusi.com