Connect with us

Investigim

Ja si ranë në përgjimet e SPAK nga telefoni Monika Kryemadhit sekserët e saj, nga Theodhori Çami, Marin Gjonaj deri…

Published

on

Nga zbërthimi i një telefoni që kishte përdorur vite me parë deputetja Monika Kryemadhi u zbuluan qindra mesazhe të shkëmbyera mes saj dhe dhjetëra personave të tjerë, zyrtarë të lartë institucionesh, biznesmenë, përfshirë dhe pronarë televizionesh. Me anë të këtyre mesazheve hetimet e SPAK zbuluan një skemë komplekse financiare që përfshin pagesa prej 8 miliardë lekësh nga Vodafone Albania drejt kompanisë së Adrian Shatkut kushëririt të Monikës, me përfitime të dyshuara për çiftin Ilir Meta dhe Kryemadhi.

Skema tregon mënyrën se si çifti ka përdorur ndikimin e tyre politik dhe lidhjet personale për të orkestruar marrëveshje në prapaskenë, përfshirë organizimin e takimeve private, aktivizimin e drejtuesve të institucioneve dhe përfshirjen e dy biznesmenëve si sekserë, Theodhori Çami, Marin Gjonaj. Sipas hetimeve, kompania e Adrian Shatkut ishte hallka kryesore për kanalizimin e fondeve. SPAK ka evidentuar transaksione të mëdha financiare midis Vodafone Albania dhe kompanisë në fjalë, të cilat dyshohet se u përdorën për përfitime të çifti Meta-Kryemadhi.

Dokumentet tregojnë se këto marrëveshje ishin të lidhura me ndikimin politik dhe ekonominë e kontrolluar nga Meta dhe Kryemadhi. SPAK ka mbledhur prova që tregojnë se çifti përdorte vilat e tyre për të organizuar takime private mes palëve të interesuara, përfshirë drejtues të AKEP-it (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) dhe biznesmenë me lidhje të fuqishme. Këto takime duket se ishin platforma për të negociuar marrëveshje që përfitonin palët e përfshira, ndërsa një pjesë e përfitimeve përfundonte te Meta dhe Kryemadhi.

Dosja e SPAK

Në dosjen që disponon gazeta “SOT”, SPAK ka zbuluar se Vodafone Albania i ka paguar 8 miliard lekë kompanisë UNIFI të Adrian Shatkut, pas së cilës dyshohet se ka përfituar para edhe çifti Meta-Kryemadhi. Pagesat u kryen te kompania UNIFI në Shqipëri dhe Luksemburg për shërbimin e tranzitimit të thirrjeve.

Kompania e Shatkut, kur Meta dhe Kryemadhi kërkuan nga Vodafone këtë shërbim, nuk e kishte të gjithë pjesën teknike, por siç zbulon SPAK dhe siç ka dëshmuar Marin Gjonaj, drejtuesit e Vodafone, për t’i shërbyer Metës dhe Kryemadhit i kërkuan atij që të mundësonte pjesën teknike.

Gjithashtu, në dosjen e Prokurorisë së Posaçme thuhet se Meta dhe deputetja Kryemadhi kanë përdorur si sekser biznesmenin Theodhori Çamin, i cili, sipas SMS-ve që kanë dalë, kishte njohuri dhe lidhje me drejtuesit e kompanisë Vodafone në Shqipëri. Rezulton se Theodhori Çami dhe Ilir Meta e Kryemadhi janë fqinj me vilat e tyre në Gjirin e Lalzit.

Pagesat e Vodafone Albania

“Me shkresën nr. 5065/1 Prot, datë 12 Prill 2024 është administruan me CD, faturat për shërbimet e interkoneksionit për periudhën Korrik 2014 – Dhjetor 2017 që Vodafone Albania ka lëshuar në drejtim të kompanive Unifi Holdings Inc, dega Shqipëri dhe Unifi Communications S.a.r.l. Nga shqyrtimi i të dhënave të faturuara, rezulton se kompania Vodafone Albania ka faturuar (shitje) kompanisë Unifi Holdings Inc dega Shqipëri si vijon: Për vitin 2014 në vlerën 30.632.553 lekë (me tvsh).

Për vitin 2015 në vlerën 191.275.715,21 lekë (me tvsh) Për vitin 2016 në vlerën 251.205.398,50 lekë (me tvsh) Për vitin 2017 në vlerën 230.895.096 lekë (me tvsh) Gjithashtu kompania Vodafone Albania ka faturuar në drejtim të kompanisë Unifi Communications S.a.r.l. me qendër në Luksenburg, si vijon: Për vitin 2015 në vlerën 31.710.602.33 lekë (me tvsh) Për vitin 2016 në vlerën 49.474.686.33 lekë (me tvsh) Për vitin 2017 në vlerën 13.502.183.03 lekë (me tvsh) Në total, kompania Vodafone Albania ka faturuar në drejtim të këtyre dy kompanive shumën 798.696.234 lekë më tvsh.

Advertisement
Reklamo në Gjurmusi.com

Kjo vlerë paraqet xhiron që kompanitë e mësipërme kanë realizuar nga marrëveshja e interkoneksionit me Vodafon Albania, dhe fitimi i realizuar do të llogaritej pasi të identifikohej çmimi me të cilin kompanitë Unifi Holdings Dega Shqipëri dhe Unifi Communications S.a.r.l, kanë shitur impulset e blera nga kompania Vodafone Albania.

Përfitimet e çiftit

“Sipas organit të akuzës, Monika Kryemadhi ka përfituar të ardhura nga aktiviteti i kompanisë UNIFI Holldings dega Shqipëri, si dhe ka përfituar pagesa për të mira materiale nga Adrian Shatku. Përfitimet konsistojnë në pagesa për udhëtimet dhe akomodimin e Monika Kryemadhit në Amerikë dhe Angli, pagesa për blerje në dyqanet Maccapani në vlerën 12,000 USD, pagesën në shumën 3200 Euro për shpenzime arsimi për Bora Metaj, etj. Gjithashtu Monika Kryemadhi ka përfituar një kartë krediti Amerikan Expres nr. 3743 231151 31009 e cila është lëshuar nga kompania American Expres, llogaria bankare nga e cila është rimbushur karta nuk është identifikuar ende nga autoritetet gjyqësore të Britanisë së Madhe.

Nga të dhënat e bisedave dhe email-eve është vërtetuar se Monika Kryemadhi ka përfituar edhe nga aktiviteti ekonomik i kompanisë UNIFI Holdings Inc, Dega Shqipëri, dhe në të paktën dy raste është përfituese e dy shumave prej 34,638 Euro. Monika Kryemadhi së bashku me Ilir Metën kanë përdorur pushtetin e tyre politik për të mbajtur nën kontroll dhe për të urdhëruar Kryetarin e AKEP, shtetasin Piro Xhixho që të krijojë të gjitha kushtet me qëllim që kompania UNIFI Holldings Dega Shqipëri të lidhë kontratë interkoneksioni me kompaninë Vodafone, si dhe të përfitojë sa më shumë minuta për tranzitim.

Nga bisedat e zhvilluara midis Monika Kryemadhit dhe Piro Xhixhos rezulton se ky i fundit ka vendosur autoritetin e tij si kryetar i këshillit drejtues të AKEP, plotësisht në funksion të interesave ekonomike dhe politike të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, duke e shkelur detyrimin ligjor”, thuhet në dosjen e SPAK

Si i lëvizi fijet në prapaskenë Meta dhe Kryemadhi, roli i Theodhori Çamit

Për të arritur marrëveshjen me Vodafone, SPAK tha se Kryemadhi dhe Meta kanë përdorur si “sekser” Theodhori Çamin, drejtor i Euro Neës Albania. Ishte ky i fundit që organizonte edhe takimet në vilën e Kryemadhit në ish-bllok. Në një nga këto biseda private ishte i pranishëm vetë ish-drejtori i Vodafone.

Në këtë takim, Dietlof Mare kërkon nga Kryemadhi që përmes Piro Xhixhos në AKEP të bllokohet kalimi i klientëve nga Vodafone dhe AMC në drejtim te kompanisë Plus. Këtë fakt e ka zbuluar vetë Thodhoriu në deklarimin e tij në SPAK.  Madje, aq shumë ka qenë i përfshirë Theodhori (Theo) në këtë histori, sa Kryemadhi komunikon vazhdimisht me Adrian Shatkun për sjelljet e tij, ndërkohë në një moment shkruan se “Theo u dh*je fare se i foli Iliri”.

SPAK ka zbuluar se lidhja e kompanisë UNIFI me Vodafone është bërë pikërisht me ndërmjetësimin e Theodhori Çamit dhe për këtë, sipas dosjes, ky i fundit ka marrë 6-7 pagesa, pasi sipas Adrian Shatkut, kaq kushtonte shërbimi që kishte ofruar.

Marin Gjonaj

Advertisement
Reklamo në Gjurmusi.com

Gjithashtu në dosje është edhe dëshmia e Marin Gjonajt të Info Telecom, i cili ofronte në ato vite shërbimin e tranzitimit të thirrjeve ndërkombëtare për Vodafone duke mundësuar ndërkohë edhe aksesin e kompanisë UNIFI me rrjetin e Vodafone. Mirëpo, para SPAK, siç konstatohet nga dëshmia e dhënë prej tij, Marin Gjonaj nuk mban asnjë përgjegjësi në këtë marrëdhënie UNIFI-Info Telecom-Vodafone, nga e cila përfitonte çifti Meta-Kryemadhi.  “Sipas deklaruesit, ka qenë Vodafoni që e ka kërkuar këtë gjë, pasi as ai dhe as Anisa Skëndaj nuk ka patur njohje me Adrian Shatkun.

Shtetasi Marin Gjonaj deklaron, se në vitin 2014, ai merrej ekskluzivisht me marrëdhëniet tregtare me operatorët ndërkombëtare në Evropë dhe nuk kishte dijeni se në ç’mënyrë e ka ndihmuar kompania Infotelecom, kompaninë Unifi. Sipas tij, marrëdhëniet me kompanitë vendase i mbante Anisa Skëndaj e cila kontrollonte kontratat, i lidhte ato dhe menaxhonte financat.

Deklaruesi nuk dinte të sqaronte nëse midis dy kompanive ishte lidhur ndonjë marrëveshje, por sqaroi se shërbimi që i ofronin kompanise Unifi Holding Dega Shqipëri, kishte një vlerë diku te 300 Euro në muaj, dhe këtë shërbim mund ta ofronte kushdo nga operatorët e tjerë që ishin në treg në atë kohë. Pyetjes nëse kompania Infotelecom bënte matje të fluksit të minutave që trafikoheshin për llogari të Unifi Holding Dega Shqipëri, deklaruesi Marin iu përgjigj se nuk kishte asnjë mundësi që kompania Infotelcom të bënte matje të fluksit sepse kompanitë, që të shikonin minutat, duhet që të vendosin një pajisje swich që bënte konvertimin nga El në SS7 IP dhe kjo pajisje lidhej logjikisht me Vodafonin.

Për matjen e fluksit, kompania Unifi duhet të kishte vendosur swich-in e vet, për të mundësuar matjen e minutave të terminuara për të bërë edhe rakordimin me Vodafonin në fund të muajit”, thuhet në dosjen e SPAK. Marrë nga Sot/09.07.2025/

Advertisement Reklamo në Gjurmusi.com
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kryeredaktor: Nesti Agoni Ne nuk kemi emra. Sepse emrat korruptohen. Gjurmuesi është një media e pavarur qe nuk do te beje kurre kompromis,me askend dhe do te ndjekim gjurmet e parave te korrupsionit. Jemi shqetësimi i çdo pushtetari që ka vjedhur, mashtruar apo shtypur të tjerët nga një karrige publike. Gjurmuesi flet kur mediat e blera mbyllin sytë. [email protected]