Investigim

BKH zbulon batërdinë e Tërmet Peçit me toka e tenderë!

Published

on

SPAK gati procedimin

Përfituese e motra, Manjola Peçi dhe gruaja e drejtorit Lorenc Bami

Më pak se një muaj para marrjes së mandatit si deputet, ish-kryetari i Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, pritet të përballet me një vendim penal nga SPAK, për një sërë aferash të rënda korruptive që lidhen me shpërdorimin e pasurisë publike dhe abuzimin me fondet shtetërore dhe europiane.

Sipas burimeve të siguruara nga “Pamfleti”, BKH ka përfunduar hetimin paraprak, ku provohet se Tërmet Peçi, në bashkëpunim me drejtorin e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në bashki, Lorenc Bami, ka ngritur një skemë sistematike përmes së cilës janë favorizuar kompani në pronësi të motrës së Peçit dhe gruas së Bamit, duke përfituar leje ndërtimi, troje dhe tenderë publikë nëpërmjet dokumentacionit të falsifikuar dhe preventivëve fiktivë.

Deri tani, në bazë të dosjeve të sekuestruara më 16 qershor 2025, rezulton se janë shpërndarë në mënyrë abuzive rreth 85 hektarë toka, pyje e troje në formë koncesionesh apo qiraje me vlerë simbolike dhe janë vjedhur mbi 7.7 milionë euro.

Kompanitë e përfshira në këtë skemë janë: “NG Structures”, “Artreum Generation”, “Iumentis”, “Agroturizëm Urla”, “Agroturizëm Rexhini” dhe “Therrtorja Rajonale-Tepelenë”. Të gjitha janë të lidhura me motrën e ish-kryebashkiakut Manjola Peçi dhe bashkëshorten e drejtorit Bami, Aleksandra Bami.

Një nga rastet më flagrante është ai i ndërtimit të ujësjellësit për fshatrat Krahës dhe Qesarat në Bashkinë Memaliaj. Edhe pse janë paguar 4.1 milionë euro në qershor 2021, punimet nuk janë kryer as sot, ndërsa në raportet zyrtare figurojnë si të përfunduara.

Në total, vetëm në periudhën 2019–2025, kompanitë e lidhura me Peçin dhe Bamin kanë përfituar mbi 18 milionë euro në tenderë të dyshimtë. Aktualisht është në hetim një tjetër bllok tenderësh me vlerë mbi 66 milionë euro të dhëna nga Bashkia Tepelenë dhe nga bashki të tjera ku është ndërhyrë përmes lidhjeve politike.

Në muajin shkurt 2024, këshilli bashkiak i Tepelenës, me propozim të Peçit dhe relacion të Bamit, miratoi dhënien me qira dhe falas të pasurive të tjera publike në favor të kompanisë “Iumentis”.

Po ashtu, me vendim të datës 31 mars 2022, Këshilli Bashkiak i dha motrës së Peçit një tjetër tokë për ndërtimin e resortit “Agroturizëm Rexhini” në Progonat. Nëpërmjet këtij resorti dhe të tjerëve si “Urla” dhe “Therrtorja Rajonale”, familjarët e Peçit dhe Bamit kanë përfituar mbi 1 milionë euro nga fondet bujqësore të BE, miratuar nga ish-drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca, me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama, i cili i përuroi publikisht.

Advertisement

SPAK pritet të marrë vendimin për regjistrimin e procedimit penal dhe marrjen në pyetje të personave të përfshirë në këtë skemë kriminale, përfshirë vetë deputetin e zgjedhur Tërmet Peçi./Pamfleti

Te Fundit

Kryeredaktor: Nesti Agoni Ne nuk kemi emra. Sepse emrat korruptohen. Gjurmuesi është një media e pavarur qe nuk do te beje kurre kompromis,me askend dhe do te ndjekim gjurmet e parave te korrupsionit. Jemi shqetësimi i çdo pushtetari që ka vjedhur, mashtruar apo shtypur të tjerët nga një karrige publike. Gjurmuesi flet kur mediat e blera mbyllin sytë. info@gjurmusi.com