Afera “Rama– Alabbar” Kompania po zgjerohet përtej çdo limiti ligjor, me bekimin e tatimeve dhe heshtjen e SPAK…
E gjithë procedura qeveritare për ndërtimin e kompleksit të kullave, pallateve, qendrave tregtare dhe parkimit të jahteve në territorin e Portit të Durrësit nga kompania “Durrës Marina” përbën një aferë të pastër korrupsioni të kryeministrit Edi Rama në favor të një grupi mafioz arab me qendër në Dubai.
Për të realizuar këtë projekt, Rama futi në skemë biznesmenin Mohamed Alabbar me kompaninë offshore “Eagle Hills Real Estate Development” dhe krijoi kompaninë shtetërore “Albanian Seaports Development” në pronësi të Portit Detar të Durrësit.
Më 31 janar 2023, u krijua shoqëria koncesionare “Durrës Marina Sh.A”, me 67% pronësi të “Eagle Hills” dhe 33% nga kompania shtetërore shqiptare.
Si drejtor i kompanisë u emërua Dhimitraq Mili, ish-drejtor i “Gener 2” të Bashkim Ulajt, çka e lidh drejtpërdrejt këtë investim me rrethin e ngushtë të Ramës. Përfaqësues i shtetit shqiptar dhe drejtor administrativ u emërua Erlis Hereni.
Pas kallëzimit penal të Partisë Demokratike në SPAK për këtë aferë, Hereni, i ndërgjegjshëm për pasojat penale, refuzoi të firmoste bilance me të dhëna të falsifikuara për investime, transferta, arkëtime dhe shpenzime. Ai gjithashtu refuzoi të legalizonte zgjerimin me 70 mijë m² të sipërfaqes së ndërtimit, përtej 810 mijë m² trualli që i ishte dhuruar fillimisht kompanisë arabe.
Pikërisht për këto refuzime, më 24 korrik 2024, drejtori i atëhershëm i Portit të Durrësit, Pirro Vengu (pak ditë para se të emërohej ministër), e largoi Herenin nga detyra. Ndërprerja u paraqit zyrtarisht si “dorëheqje”. Por shkarkimi i tij u mbajt i fshehtë për një vit të tërë dhe u pasqyrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit vetëm më 2025.
Për ta “shpërblyer” heshtjen, Hereni u emërua menjëherë sekretar i Misionit të Shqipërisë në OKB, larg nga zhurma e kullave në Durrës.
Në vend të tij, si përfaqësues i qeverisë shqiptare në kompaninë e përbashkët “Durrës Marina Sh.A”, u emërua Alban Binaj. Sipas burimeve, ai është familjar i Ilir Binajt, aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, institucion që mbikëqyr bilancet fiskale të kompanisë koncesionare “Rama-Alabbar”./Pamfleti