Fajde dhe lëvizje parash të pista, i mbron policia
Fajde, para të pista dhe dhunë në Palasë: Kush janë personazhet e sherrit të Lollipop dhe lidhjet e tyre me policinë
Publikuar në Gjurmusi.com | 19 Korrik 2025 | Krim & Korrupsion
Detaje të reja janë zbardhur mbi sherrin e dhunshëm të ndodhur në klubin e njohur të natës “Lollipop” në Palasë, një ngjarje që tronditi pushuesit në bregdet dhe hapi shumë pikëpyetje për rolin e policisë në mbulimin e elementëve të botës së krimit.
Burime nga vendngjarja tregojnë se gjithçka nisi me një përplasje fizike mes disa personave të akomoduar në zonën VIP të klubit. Në konfliktin që degradoi në përdorim armësh (ndonëse klubi e mohon), protagonistë ishin Alban Papushi, Valter Përshpalaj, Fatjon Përshpalaj dhe Xhulio Sorra. Fillimisht janë përdorur gota dhe sende të tjera në dispozicion, ndërsa më pas dëshmitarët konfirmojnë edhe të shtëna me armë brenda lokalit.
Kush janë personazhet e sherrit?
🔴 Alban Papushi – Një emër i njohur në qarqet e biznesit informal në Tiranë. Ai zotëron një pikë këmbimi valutor me emrin “Global Change”, e cila operon edhe si agjent i Union Net–Western Union. Pavarësisht se ka qenë disa herë nën hetim nga Krimi Ekonomik dhe Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Papushi ka dalë gjithmonë i paprekur, çka ngre dyshime për mbështetje nga struktura të korruptuara brenda Policisë së Shtetit. Aktiviteti i tij dyshohet se përfshin qarkullim të parave të pista, pastrim parash përmes transaksioneve valutore dhe investime në pasuri të paluajtshme. Papushi njihet edhe për stilin e tij të jetesës luksoze, makinat e shtrenjta dhe prania në evente të elitës së errët të Tiranës.
🔴 Valter Përshpalaj – Një tjetër personazh problematik, me precedentë penalë në Shqipëri dhe Itali. Në vitin 2015 ai është përfshirë në një grabitje vile në Itali, ndërsa në vitin 2021 u shpall në kërkim për veprat “Moskallëzim krimi” dhe “Plagosje e lehtë”. Ka qenë i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe përfshirë në episode të dhunshme. Edhe ai, ndonëse i skeduar për krime të rënda, ka arritur t’i shpëtojë ndëshkimit duke ngritur pikëpyetje të forta për lidhjet që gëzon me strukturat shtetërore. Thuhet se operon gjithashtu në tregun informal të automjeteve, së bashku me vëllain e tij, Fatjon Përshpalaj.
Advertisement
Një konflikt që zbulon një rrjet më të thellë
Nuk dihet nëse konflikti mes Papushit dhe Përshpalajt ka lindur nga shkaqe banale, apo nga përçarje brenda aktiviteteve të përbashkëta të paligjshme. Por fakti që të dy rezultojnë të përfshirë në botën e fajdeve, pastrimit të parave dhe dhunës, e kthen këtë incident në një simptomë të një problemi më të madh: pandëshkueshmërinë e krimit në vendpushime luksoze ku turizmi përzihet me para të pista dhe mbështetje politike.
Përballë kësaj situate, policia vijon të heshtë. Deri më tani, asnjë person nuk është arrestuar për sherrin e Lollipop, dhe asnjë njoftim zyrtar nuk është dhënë për të shtënat me armë. Mbetet për t’u parë nëse ky rast do të trajtohet si një incident i zakonshëm veror apo do të zbulojë lidhjet e fshehta mes krimit dhe pushtetit që e mbron atë.
🕵🏻♀️ Redaksia e Gjurmusi.com vijon hetimet për të nxjerrë në dritë rrjetin e bizneseve të lidhura me këto personazhe, si dhe të dhëna nga prokurori, Policia e Shtetit dhe institucionet financiare.