Connect with us

Korrupsion

Kulla e Dajlan Avdias që përplasi fort Edi Ramën me Erion Veliajn

Published

on

Bashkia Tiranë gjobiti me 600 mln lekë ”prestanomen” e Olsit

Vendimi për shfuqizimin e gjobës 63 milionëshe ndaj “TDT & Partners” zbuloi jo vetëm konfliktin brenda pushtetit, por edhe lidhjen e drejtpërdrejtë të Dajlan Avdias me strukturat e familjes Rama

Kulla e Dajlan Avdias që përplasi fort Edi Ramën me Erion

Në datë 22 maj 2025, Gjykata Administrative e Apelit shfuqizoi përfundimisht një gjobë prej 63 milionë lekësh ndaj kompanisë “TDT & Partners”, pasi konstatoi se Bashkia e Tiranës e kishte vendosur atë jashtë afateve ligjore. Subjekti në fjalë, që ka ndërtuar kullën “Book Building” në rrugën “Abdi Toptani”, kishte shtuar një kat të katërt nëntokë me sipërfaqe 1800 metra katrorë pa leje ndërtimi, gjatë prillit të vitit 2020, pikërësisht në kulmin e pandemisë dhe bllokimit total të vendit.

Kulla e Dajlan Avdias që përplasi fort Edi Ramën me Erion

Gjobitja erdhi me vonesë, në nëntor të vitit 2022, nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në varësi të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që e njëjta Bashki, në shkurt 2021 dhe më pas në tetor të 2022-shit, kishte refuzuar dy herë kërkesat për legalizimin e kësaj hapësire të ndërtuar në kundërshtrim me lejen. Nga ana tjetër, gjatë të njëjtës periudhë, Këshilli Kombëtar i Territorit, një strukturë që drejtohet personalisht nga Kryeministri Edi Rama, kishte pranuar ndryshimin e projektit dhe kishte miratuar shtesën.

Ky është rasti i rrallë kur dy institucione të të njëjtit pushtet dalin me vendime të kundërta për të njëjtin veprim të paligjshëm. Bashkia e refuzon. Qeveria e legalizon. Bashkia vendos gjobë. Gjykata e heq. Dhe në fund, ndërtimi jo vetëm që nuk ndalohet, por legjitimohet.

Nëse i referohesh vetëm fakteve, duket si një proces burokratik me interpretime të ndryshme. Por kur i lidh datat, vendimet dhe emrat që qëndrojnë pas këtyre kompanive, tabloja është shumë më e qartë: këtu nuk kemi të bëjmë me një ndërtues të zakonshëm që ka shkelur ligjin, por me një aktor që e përdor pushtetin si mjet për të garantuar interesin personal.

Subjekti ndërtues “TDT & Partners” është në pronësi të Dajlan Avdias dhe Glendi Abdit, dy emra të njohur në sektorin e ndërtimit, të cilët përmenden në një sërë projektesh me vlera qindra miliona euro, në Tiranë, Sarandë, Krorëz dhe zona të tjera strategjike. Sipas të dhënave të mbledhura nga burime të ndryshme, Dajlan Avdia konsiderohet si një ndër emrat që vepron me mbështetje të drejtpërdrejtë nga struktura të lidhura me familjen e Kryeministrit Edi Rama, në mënyrë të veçantë nga vëllai i tij, Olsi Rama.

Kulla e Dajlan Avdias që përplasi fort Edi Ramën me Erion

Përballja mes Bashkisë së Tiranës dhe KKT-së për shtesën pa leje të “Book Building” nuk është një çështje teknike. Éshtë një konflikt i pastër politik, që ndodhi në heshtje dhe që ekspozoi për herë të parë ndarjen mes dy boshtesh të pushtetit brenda Partisë Socialiste: Bashkia që tentoi të zbatojë rregullin dhe një qeveri që e anuloi me një firmë.

Nëse gjoba 63 milionëshe ishte një sinjal force nga Bashkia e Veliajt, miratimi i shtesës nga KKT ishte një kundër-mesazh i qartë: ndërtimi do të vazhdojë, me apo pa leje, nëse mbrapa qëndron njeriu i duhur.

Por kush është ky njeri i duhur?

Sepse në këtë histori, në letër, ndërtuesi është Dajlan Avdia; një biznesmen që ka dalë nga bastet dhe ka hyrë në resorte dhe kulla. Por në praktikë, çdo projekt i madh ku ai përfshihet përkon me një model të përsëritur: leje të shpejta, heshtje shtetërore për shkeljet, dhe më pas mbyllje të dosjes në gjykatë.

Një profil i tillë nuk ngrihet me aftësi biznesi. Ngrihet me mbështetje politike.

Prandaj, sot pyetja nuk është më: Kush ndërtoi pa leje?, por në emër të kujt u hap dera dhe u mbyll dosja?

Advertisement
Reklamo në Gjurmusi.com

Dajlan Avdia mund të jetë nënshkruesi i projektit, por i vetmi që ka fuqi të përplasi Bashkinë me Kryeministrinë, dhe të dalë i fituar, nuk është një biznesmen i zakonshëm. Éshtë dikush që ka pushtet përtej zyrës së ndërtimit. Dhe ky pushtet, sipas çdo burimi të brendshëm që njeh marrëdhëniet reale të ndërtimit në Tiranë, nuk i takon vetë Avdias. I takon dikujt shumë më afër Kryeministrit. Shumë më brenda se çdo ministër. Shumë më i heshtur se çdo deputet.

I takon Olsi Ramës. /Pamfleti

Advertisement Reklamo në Gjurmusi.com

Ne nuk kemi emra. Sepse emrat korruptohen. Ne kemi vetëm një qëllim: të ndjekim gjurmët. Deri në fund. Gjurmuesi është një mekanizëm i vogël, i lirë dhe i pavarur që mbledh, përpunon dhe publikon të vërtetat që të tjerët nuk guxojnë t’i thonë. Kemi zgjedhur të mos shfaqim fytyra. Sepse kur fytyrat bëhen të njohura, fillon pazari. Ne nuk bëjmë pazare. Ne ndjekim dokumentet që fshihen, dosjet që heshtin, llogaritë që nuk dalin. Ne ndjekim gjurmët e parave, pushtetit dhe frikës. Dhe nuk ndalemi. Jemi shqetësimi i çdo pushtetari që ka vjedhur, mashtruar apo shtypur të tjerët nga një karrige publike. Nuk kemi lidhje me parti, me pushtet apo me ideologji. Gjurmuesi flet kur mediat e blera mbyllin sytë. Ky vend është i sëmurë nga heshtja. Dhe nga frika. Gjurmuesi nuk hesht. Nuk kërkon leje. Nëse ke dokumente, dërgoji. Nëse di një të vërtetë që nuk thuhet, ndaje. Gjurmuesi është për ty, me ty. Dhe për të vërtetën. [email protected]