Nga Klodiana Lala
Zbardhet përgjimi i punonjëses së Komisionit të Prokurimeve Publike, Lindita Skeja e cila implikon drejtuesin e këtij institucioni, Jonaid Myzyri për aferën e tenderit 2.3 mln euro, të mirëmbajtjes së rrugës 58.7 km, “Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Ura e Repsit”.
Hetimi nisi pas dyshimeve se Myzyri kishte diktuar veprimet e anëtarëve të tjerë të KPP në rastet e shqyrtimit të ankesave ndaj procedurave të prokurimit.
Disa muaj pasi u pyet si person nën hetim, SPAK mori në 24 qershor zyrtarisht të pandehur Jonaid Myzyrin, duke i komunikuar akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tenderin për mirëmbajtjen e rrugës së lartpërmendur.
Siç edhe rezulton nga dosja hetimore, një rol të rëndësishëm në artikulimin e akuzave nga ana e Prokurorisë së Posaçme ndaj Myzyrit ka patur edhe biseda telefonike e përgjuar e punonjëses së KPK, Lindita Skeja e cila implikon titullarin në procedurat abuzive të tenderit.