Dokumentet / Arlinda Pogaj ndan 12 milionë euro për bosin e prostitucionit Lefter Lamajn dhe kapon e drogës Gëzimin e Kashtës. Pse nuk po vepron SPAK-u?
Figurat e trafikut të drogës, prostitucionit, trafikut të qenienve njerëzore, korrupsionit dhe pastrimit të parave vijojnë të përfitojnë miliona euro para publike me tendera me natyrë korruptive, procedura fiktive dhe oferta fituese gati sa fondi limit, përmes kompanive në emrin e tyre apo të familjarëve, duke përzier kështu paratë publike me paratë e krimit.
Dokumentet tregojnë se për të firmosur dhjetëra milionë euro tendera për njerëzit është gjetur dhe caktuar drejtoresha e Operatorit të Blerjeve të Përqëndruara, Arlinda Pogaj, ndoshta edhe për arsyen se SPAK dhe GJKKO kanë demostruar një qasje më të butë penale për gratë e kapura në korrupsion dhe pastrim parash.
Që pas emërimit në krye të Operatorit të Tenderave si e besuara e një ministri, Arlinda Pogaj, vetëm me dy figura të krimit ka firmosur mbi 11 milionë euro tendera. Bëhet fjalë për ish bosin e prostitucionit në Piacenza të Italisë, Lefter Lamaj, i dënuar me 11 vit burg, i cili fshihet pas kompanisë përfituese Devis shpk, ndryshuar emrin në Abi’s shpk, kaluar në emrin e bashkëshortes Kristinka Leka, si dhe për trafikantin e grodës Gëzim Salillarin, i njohur si Gëzimi Kashtës, i dënuar me 11 vite burg për trafik kokaine dhe heroine, i cili i përfiton paratë publike përmes kompanisë Rej shpk, në të cilën është aksioner me 20 % përmes kompanisë Kliva, me ortak të vetëm Salillarin.
Së pari, ligji shqiptar ndalon të dënuarit për trafik droge, prostitucion dhe organizatë kriminale që të marrin pjesë në tendera dhe ankande publike.
Së dyti, përfituesit real të fondeve publike janë subjekte të ligjit anti-mafia, ndaj të cilëve SPAK duhet të nisë hetim pasuror, për të kosntatuar nëse kompanitë janë produkt i parave të pista dhe për të procesuar me sekuestrim sipas rastit.
Fakte, Pogaj 10 milionë euro për Lamajn
Drejtoresha e Operatorit të Blerjeve të Përqëndruara, Arlinda Pogaj dhe pronarja në letra e kompanisë Abi’s (Devis), Kristinka Leka, pas të cilës qëndron Lefter Lamaj, kanë monopolizuar shërbimin e lavanderisë në spitale. Vitet e fundit tenderat kanë marrë formën e koncensionit, duke lidhur kontrata me afat 4-vjeçar për këtë shërbim. Gjatë 12 muajve të fundit, Pogaj ka firmosur 10 milionë euro tendera për kompaninë e ish bosit të prostitucionit.
Në 10 korrik 2025, Arlinda Pogaj ka kopsitur letrat e tenderit për shërbimin e lavanderisë dhe hotelerisë në pavionet e Spitalit Bashkiak Sarandë, për 4 vite, duke shpallur fituese pikërisht kompanië Abi’s (Devis), me flamur të kuq korrupsioni; Mungesë konkurrence, ofertë fituese 1.1 milionë euro gati sa fondi limit, procedura formale, fitues i paracaktuar.
Në 16 shtator 2024, me të njëjtën formë, me pazar në tavolinë, finalizon tenderin me vlerë 900 mijë euro për kryerjen e shërbimit të lavanderisë për një periudhë 36 mujore në Spitalin Universitar të Traumës, për kompaninë Abi’s (Devis).
Në 4 shtator 2024, kompania me emër të ndryshuar ka fituar tenderin e radhës me vlerë 1.3 milionë euro, aq sa fondi limit, për shërbimin e lavanderisë së Spitalit të Elbasanit, për 48 muaj, pra për katër vite, deri në fund të vitit 2028.
E gjithë procedura është fiktive dhe korruptive. Një javë më pas, në 10 shtator 2024, po nga Operatori i Blerjeve të Përqëndruara me në krye Arlinda Pogaj, Lefter Lamaj ka marrë tenderin e radhës për shërbimin e lavanderisë dhe hotelerisë për Spitalin e Vlorës, me vlerë 1.8 milionë euro, në të njëjtën formë.
Në 16 shtator 2024, në të njëjtën formë, e dënuara për korrupsion Arlinda Pogaj i ka dhënë të dënuarit për protitucion, me pazar në tavolinë, tenderin për shërbimin e lavanderisë për Spitalin Psikiatrik të Elbasanit me vlerë 3.1 milionë euro, për një periudhë 4-vjeçare.
Në 17 shtator 2024, kompania me emër të ndryshuar ka fituar tenderin e radhës me vlerë 2.2 milionë euro për kryerjen e shërbimit të lavanderisë për një periudhë 36 mujore në Spitalin Universitar të Traumës. Tenderi ka natyrën e koncensionit pasi parashikon një shërbim trevjeçar.
Tenderi i dyshimtë është organizuar nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara, një agjenci e cila ka qenë shpesh objekt goditje nga SPAK për afera korruptive. Pra në një hark të shkurtër kohor, Arlinda Pogaj, me ose pa urdhër, ka kopsitur letrat, duke i dhënë mbi 10 milionë euro para publike Lefter Lamajt.
Gjithçka duket e organizuar dhe e koordinuar, duke ndarë tenderat jashtë zyrave të Operatorit të Tenderave dhe përdorur entin publik vetëm për të vulosur përvetësimin e parave publike.
Si fshihet Lefter Lamaj pas kompanisë Abi’s (Devis)
Në vitin 2017, Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë arrestuan Lefterin me qëllim për ta ekstraduar në Itali, pasi ishte dënuar me 11 vite burg për trafik droge dhe prostitucion.
Pas arrestimit, Lefter Lamaj nuk u ekstradua, por iu konvertua dënimi. Sipas mediave italiane, “Lefter Lamaj, është shefi i padiskutueshëm i grupit të prostitucionit në Piacenza midis viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000″. Ai u dënua në Shqipëri me 5 vite burg nga 11 që ishte dënuar në Itali dhe shumë shpejt la qelinë.
Pas aktivitetit kriminal në Itali, në shkurt të vitit 2004, Lefter Lamaj themeloi kompaninë Devis shpk, me nipt K31420012M, me objekt në fushën e lavaderisë.
Advertisement
Në janar të vitit 2008, Lamaj e kaloi kompaninë në emrin bashkëshortes së tij, Kristina Leka. Sipas kontratës, zonja Leka do i jepte 80 milionë lekë Lamajt jashtë zyrës noteriale, para të cilat nuk u dihet burimi.
Pasi bleu kompaninë pa kapital për 80 mijë euro, zonja Leka rriti kapitalin nga 100 mijë lekë në rreth 2 milionë euro. Të gjitha të dhënat ngrenë dyshime për një skemë të pastër pastrimi parash.
Në vitin 2016, kompania e Lamajt nisi të marrë pjesë në procedura publike. Kompania ka fituar 37 milionë euro tendera, 10 nga të cilat me firmën e Arlinda Pogajt.
Arlinda Pogaj tender për Gëzimin e Kashtës
Që pas caktimit në krye të Operatorit të Blerjeve të Përqëndruara, zonja Arlinda Pogaj ka firmosur një tender me vlerë 1.2 milionë euro për kompaninë Rej, me përfitues fundor, Luan Kapri dhe Gëzim Salillari, i njohur si Gëzimi i Kashtës, referuar emrit të një lokali që ka pasur në zonën e bllokut të vilave qeveritare në Durrës.
Salillari bleu 20 % të aksioneve të komapnisë Rej shpk, në vitin 2011, përmes kompanisë së tij Kliva shpk. Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, mbi 30 milionë euro kanë kaluar nga Thesari i Shtetit në llogaritë e kompanisë Rej. Disa tendera të dyshimtë, sidomos në Durrës, besohet se janë përfituar me ndikimin e Gëzimit të Kashtës, subjekt i ligjit anti-mafia.
Në shkurt të këtij vitit, Arlinda Pogaj ka kopsitur letrat, duke i dhënë një tender me vlerë 1.2 milionë euro kompanisë Rej shpk, për shërbimin e pastrimit të Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali”, në shkelje të ligjit, pasi aksioner i kompanisë fituese është një subjekt, të cilin ligji për prokurimet e ndalon për të marrë pjesë në tendera dhe ankande publike.
Të paktën dy kompani të tjera kanë ofruar çmime më të ulëta se REJ, por pavarësisht kësaj, tenderi i është dhënë subjektit të lidhur me botën e krimit, nën dyshimet e ndikimit korruptiv.